Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar lidhur me reagimet e dy deputetëve të Vetëvendosjes për bojkotimin e konferencës së ministres Rozeta Hajdari nga gazetarja e Radio Televizionit të Kosovës-RTK.
Sipas AGK-së, reagimet e deputetëve Enver Dugolli e Valon Ramadani ndaj gazetares Edona Podvorica për bojkotimin e konferencës së ministres Hajdari, është presion publik ndaj gazetares.
“Deputeti Valon Ramadani ka shkruar se “si duket, ky institucion i qenka shmangur obligimit ligjor, duke mos qëndruar në konferencën e Ministres Rozeta Hajdari”. Në vijë të njëjtë ka shkruar edhe deputeti tjetër i Vetëvendosjes, Enver Dugolli, kurse të tjerë eksponentë të partisë në pushtet i kanë bërë jehonë këtyre qëndrimeve duke kërkuar largimin nga puna të gazetares”, thuhet ndër të tjera në reagim.
Sipas AGK-së, bojkoti i së martës është formë legjitime e protestës së gazetarëve dhe medieve, derisa e ka ftuar partinë në pushtet të mos bëjë presion ndaj gazetarëve të mediumit publik.
“Gjithashtu, AGK-ja e fton menaxhmentin e RTK-së të mos ndikohet nga presioni i pushtetit në raportim me veprimin e ekipit të vet në terren”, thuhet në reagimin e AGK-së.