Klubi i Paris Saint-Germain dhe sulmuesi Goncalo Ramos kanë një akord total për të bashkëpunuar duke nisur nga sezoni i ardhshëm. Lojtari portugez që është pjesë e Benficas, duket i entuziazmuar për një eksperiencë të re me kampionët e Francës dhe ka dhënë “dritën jeshile” për t’u transferuar në Parc Des Princes.
Tratativat kanë avancuar shumë në orët e fundit dhe tashmë pritet që parizienët të gjejnë “gjuhën e përbashkë” me kolegët e tyre të Benficas. Për momentin, portugezët nuk i ulin pretendimet e tyre nën 80 milionë euro duke kërkuar 70 kesh, dhe 10 të tjera në formën e bonuseve.
Negociatat vijojnë me përpjekjen e PSG për të ulur disi këtë vlerë, por marrëveshja është shumë pranë edhe prej dëshirës së Goncalo Ramos. Vlen të theksohet se 22-vjeçari ishte një kërkesë ekskluzive e trajnerit Luis Enrique, me drejtuesit francezë që heqin kështu dorë nga i preferuari i tyre, lojtari i kombëtares, Kolo Muani.